Sfida kryesore në projektimin e këtij kompleksi industrial qëndron në ndërthurjen harmonike të funksioneve të ndryshme — showroom, zyra dhe magazinim — duke krijuar një fasadë urbane bashkëkohore, të lidhur natyrshëm me kontekstin ekzistues. Projekti respekton me rigorozitet kushtet dhe kufizimet urbane që paraqet prona, duke synuar një zgjidhje funksionale dhe estetike në të njëjtën kohë.
Objekti shtrihet përgjatë një aksi rrugor strategjik, autostradës Tiranë–Durrës, dhe përfaqëson hapësirën e parë të këtij lloji për investitorin.
Në koncept, kompleksi përbëhet nga dy volume kryesore, të ndara sipas funksioneve. Volumi i parë, që përfshin showroom-in dhe zyrat, është vendosur në fasadën kryesore, me një karakter më të lartë dhe më transparent. Volumi i dytë, që përfshin hapësirat e magazinimit, vjen menjëherë pas tij, me trajtim më të ulët dhe më opak.
Koncepcionin e fasadës e dallojnë dy trajtime të qarta: fasada kryesore, me përmasa më monumentale, thekson impaktin vizual ndaj aksit rrugor përmes përdorimit të gjerë të xhamit transparent dhe strukturës elegante me elementë metalikë hijezues; ndërkohë, fasadat anësore dhe ato të pasme karakterizohen nga përdorimi i paneleve të parapërgatitura prej betoni, të fragmentuara nga dritare horizontale me gjerësi të ndryshueshme, që japin ritëm dhe dinamizëm volumit të përgjithshëm.
Një strukturë që përkufizon efikasitetin përmes dizajnit – vëllime të pastra, materiale të ekspozuara dhe një gjuhë vizuale që ndërthur funksionin me estetikën. Panelat portokalli krijojnë identitet vizual dhe gjallëri në një objekt teknik.